Konferenca e III-të Shkencore Ndërkombëtare me temë
“Krimi kompjuterik, kërcënimi kibernetik dhe siguria kombëtare”

 

Në datën 21 nëntor 2018, Qendra e Kërkimeve Shkencore në Akademinë e Sigurisë, në bashkëpunim me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Autoritetin Kombëtar Për Certifikimin Elektronik Dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) dhe Universitetin Aleksandër Moisiu Durrës (UAMD), si dhe me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Prezenca në Shqipëri (OSCE), me Misionin PAMECA V dhe me Projektin IPA/2017 “Countering Serious Crime In The Western Balkans”, organizuan Konferencën e III-të Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Krimi kompjuterik, kërcënimi kibernetik dhe siguria kombëtare”.

Konferenca kishte objekt paraqitjen e analizave e prognozave nga aspekti i hetimit të krimeve kompjuterike dhe kërcënimeve kibernetike të sigurisë kombëtare e ndërkombëtare, që u konkretizuan me punime të mirëfillta shkencore, të cilat nxitën debate për të trajtuar në nivel të gjerë, kombëtar e ndërkombëtar, rëndësinë dhe nevojën e zgjerimit të dijeve dhe aplikimit të tyre përballë sfidës së hetimit, kërcënimeve të reja të kufijve virtualë dhe parandalimit të krimeve kibernetike në Shqipëri, si dhe hartimin e politikave, masave, kurrikulave e trajnimeve për këtë çështje.

Qëllimi i konferencës ishte trajtimi në mënyrë shkencore rreth aspektit proceduralo-hetimor të krimeve kompjuterike; aspektit analitik strategjik të kërcënimeve të krimeve kibernetike dhe terrorizmit kibernetik në sigurinë kombëtare dhe aspektit akademik, për paraqitjen e praktikave ekzistuese dhe rekomandimeve të mëtejshme të kurrikulave, programeve e trajnimeve për fushën e krimeve kibernetike për punonjësit e policisë e më gjerë.
Gjatë konferencës u zhvilluan tre sesione tematike shkencore:

“Aspekte strategjike të krimit kibernetik dhe impakti në sigurinë kombëtare”
“Hetime profesionale të krimeve kibernetike”
“Aspekte ligjore, ekonomike e psiko-sociale të krimeve kibernetike”


Kjo konferencë kishte synim të bashkonte njëzëri akademikët, shkencëtarët, profesionistët dhe ekspertët e fushave të shkencave kompjuterike, prokurorë, gjyqtarë, oficerë të policisë gjyqësore, e të tjerë, për të ndarë eksperiencat, praktikat, punimet shkencore dhe gjetjet për të gjitha aspektet gjithëpërfshirëse të fushës së krimeve kibernetike. Në mbyllje të aktivitetit, ata u pajisën me certifikatat e konferencës.