Qeveria ka si prioritet modernizimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike. Formati elektronik i ofrimit të këtyre shërbimeve është mënyra e vetme dhe më e sigurt për të garantuar në radhë të parë identitetin elektronik të qytetarëve dhe për të shmangur dukshëm korrupsionin. Në vendet e zhvilluara, shumë procese janë lehtësuar me përdorimin e nënshkrimit elektronik, i cili i bashkëlidhet një dokumenti duke i dhënë vlerë ligjore njëlloj si dokumenti i nënshkruar dorazi.

Pas qytetit të Elbasanit dhe të Durrësit, nënshkrimi dhe identifikimi elektronik prezantohen në qytetin e Korçës. Specialistët e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe ekspertë të Bashkisë së Durrësit kanë demonstruar konkretisht për qytetarët se si ata mund të marrin shërbimet publike nëpërmjet identifikimit dhe nënshkrimit elektronik. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Shtetit për Inovacionit dhe Administratën Publike Milena Harito si dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

Në fjalën e saj drejtuar qytetarëve Ministrja Harito është shprehur: “Gjithë teknologjia që është vënë në dispozicion të administratës, për të ofruar shërbime më të mira për qytetarin është një mjet për të modernizuar shtetin dhe funksionimin e tij, për të pasur rregulla transparente të njohura nga të gjithë, në mënyrë që gjithë secili të jetë gardian i mirëfunksionimit të shtetit. E vetmja mënyrë është transparenca që rregullat që thuhen të deklarohen dhe respektohen nga të gjithë dhe teknologjia është një mjet në shërbim të kësaj qasjeje”.

Përdorimi i nënshkrimit elektronik gjithashtu, sjell përmirësim të ndjeshëm të shërbimit; përftojmë rritje të transparencës së shërbimeve online; ulje të kostove financiare; rritje të produktivitetit; siguri më të lartë; shpejtësi në kohë në dërgim dhe marrje etj. Aktualisht në Shqipëri rreth 600 mijë qytetarë janë të pajisur me certifikata të kualifikuara që gjenerojnë nënshkrim elektronik dhe vetëm gjatë vitit 2017 janë kryer gjithsej rreth 5000 transaksione me nënshkrim elektronik.