Ndryshimet e propozuara synojnë përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon fushën e nënshkrimit elektronik, dokumentit elektronik dhe sherbimeve te besuara.
Përkatësisht nëpërmjet ndryshimeve në këto projektligje kemi futur në dokumentin elektronik konceptin e vulës elektronike, si një garanci për vlefshmerinë ligjore të dokumentit elektronik, ashtu si nënshkrimi elektronik. Nëse nënshkrimi elektronik përmban atributet e një personi fizik, vula elektronike përmban atributet e një personi juridik.
Vula elektronike vjen si një zgjidhje për të lehtësuar ofrimin e shërbimeve nepërmjet sistemeve automatike, për të cilat kemi bërë investime të mëdha këto vite dhe janë funksionale, me qëllim lehtësimin e procedurave të përfitimit të shërbimeve për qytetarët.
Sot në portalin unik qeveritar e Albania, ofrohen rreth 800 shërbime elktronike, shumica prej të cilave, për shkak të mungesës së vulës elektronike, dokumentet e përfituar nëpërmjet këtij portali, nuk kanë vlerë ligjore. Çdo institucion publik, me pajisjen me vulë elektronike, për procese të automatizuara, tani mund të lëshojë dokumenta të ndryshme të cilat kanë të njëjten vlerë me ato fizike.
Gjithashtu, ndryshimet ligjore prekin veprimtarinë e ofrueseve të kualifikuar të shërbimit të besuar, të cilët janë subjekte që ofrojnë produkte të sigurta (Nënshkrim elektronik, vulë elektronike, identifikim elektronik etj), për të transferuar një pjesë të veprimtarisë së tyre, nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Procesi i pajisjes me një product të sigurt përfshihet nga tre faza: 1. Identifikimi i saktë i aplikuesëve; 2. Gjenerimi i certifikatave që përmbajnë NE, eID apo vulë elektronike; 3. Dorëzimi i mjetit që mban certifikatat elektronike
Transferimi i një prej këtyre shërbimeve, lehtëson subjektet në kushtet e pamundësisë për t’i kryer vëtë. Kjo vështirësi është hasur nga subjektet ofrues shërbimi gjatë kohës së ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Në ligjin bazë transferimi është parashikuar në një formë tejet të ngurtë, vetëm nëpërmjet një ofruesi tjetër shërbimi, ndërsa ky ndryshim hap mundësi të reja në kushte sigurie të njëjta. Transferimi i shërbimeve, në asnjë rast nuk e përjashton nga përgjegjësia Ofruesin e Kualifikuar të Shërbimit të Besuar dhe i gjithë procesi garantohet nën mbikëqyrjen e Autoritetit.
Një tjetër risi që sjellin ndryshimet në këto projektligje, është njohja e produkteve të vendeve të BE, e cila deri tani nuk ka funksionuar, duke sjellë një vështirësi te bizneset, që aktivitetin e tyre e kanë të fokusuar tek importi. Çdo mall që shoqërohej me një dokument elektronik nga vendet e BE, e përballte biznesin me vështirësi njohjeje nga autoritetet vendase duke i kërkuar shoqërimin e mallit me dokumenta fizik.