Pyetje dhe Përgjigje

Pyetje: Çfarë është nënshkrimi elektronik? 
Përgjigje: Një nënshkrim elektronik është një mjet verifikimi elektronik. Ky term zakonisht përcaktohet si verifikim i identitetit të zotëruesit dhe të dhënave të nënshkruara.

Pyetje: Për çfarë shërben nënshkrimi elektronik? 
Përgjigje: Nënshkrimi elektronik garanton integritetin e të dhënave dhe siguron fshehtësinë e përmbajtjes së dokumentit elektronik. Gjithashtu, nënshkrimi elektronik shërben për të ndaluar shumëfishimin e një dokumenti elektronik nga persona të paautorizuar.

Pyetje: Çfarë janë certifikatat e kualifikuara? 
Përgjigje: Certifikatat e kualifikuara janë certifikata të lëshuara nga Ofruesit e Shërbimit të Certifikimit. Ato i bashkëngjiten nënshkrimit elektronik dhe lidhin atë me zotëruesin e këtij nënshkrimi, duke konfirmuar identitetin e këtij të fundit. Certifikatat janë publike dhe mund të gjenden në faqen zyrtare të çdo Ofruesi të Shërbimit të Certifikimit.

Pyetje: Cila është vlefshmëria ligjore e nënshkrimeve elektronike? 
Përgjigje: Dokumenti elektronik, i cili përmban emrin e nënshkruesit dhe nënshkrimin e tij të kualifikuar, ka të njëjtën vlefshmëri ligjore dhe fuqi provuese me dokumentin shkresor.

Pyetje: Ku duhet të drejtohemi për të zotëruar një nënshkrim elektronik?
Përgjigje: Nënshkrimet elektronike të kualifikuara dhe certifikatat e kualifikuara lëshohen nga Ofruesit e Shërbimit të Certifikimit të regjistruar pranë Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik (AKCE). Një listë e Ofruesve të Shërbimit të Certifikimit mund të gjendet në faqen zyrtare të Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik, www.akce.gov.al.

Pyetje: Çfarë janë Ofruesit e Shërbimit të Certifikimit? 
Përgjigje: Ofruesit e Shërbimit të Certifikimit janë persona juridikë ose fizikë, të cilët lëshojnë certifikata të kualifikuara dhe vula kohore të kualifikuara.

Pyetje: Çfarë është Vula kohore e kualifikuar? 
Përgjigje: Është një mjet, i cili konfirmon se të dhënat elektronike janë paraqitur në një kohë të caktuar.